Dhjetë vjet më parë, më 7 gusht 2016, Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e artë olimpike.
Në Rio de Janeiro të Brazilit, Majlinda e fitoi medaljen më të vlefshme në sport, në kategorinë deri 52 kilogramë në xhudo. Kështu Kosova në pjesëmarrjen e parë në Lojërat Olimpike fitoi medalje ari, që ende nuk e kanë fituar një pjesë e konsiderueshme e shteteve të botës.
Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, e ka kujtuar përmes një postimi momentin e veçantë.
“Kampione Evropiane katër herë. Kampione Botërore dy herë. Megjithatë, gjithmonë kishte një ‘por’ nga njerëzit kudo që na takonin. Olimpiada ishte gjithmonë komenti dhe kishin të drejtë. Olimpiada megjithatë është e veçantë. Dhjetë vjet më parë erdhi e arta olimpike – ajo që na mungonte. Tashmë i kishim të gjitha medaljet e arta që mund të fitohen në sport”, ka shkruar kryemjeshtri Kuka, kreatori i gjitha sukseseve të xhudos kosovare.
Falë punës së Kukës dhe nxënësve të tij, Kosova ka fituar medalje në tri edicionet e Lojërave Olimpike në të cilat mori pjesë. Në “Tokio 2020”, Lojëra që u mbajtën në vitin 2021 për shkak të pandemisë COVID19, të arta fituan Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Në “Parisi 2024”, Distria fitoi të argjendtë e Laura Fazliu të bronztë.
“Ajo ditë në Rio de Janeiro mbetet e madhe për Kosovën dhe shqiptarët anembanë botës. U nis në Rio, vazhdoi në Tokio. Dhashtë Zoti tutje, me të tjera medalje olimpike”, ka shkruar kryemjeshtri Kuka.
Kosova në Lojëra Olimpike ka medalje vetëm në xhudo. Falë punës që bëhet në Pejë nga Kuka dhe xhudistët e tij, Kosova tashmë vlerësohet superfuqi evropiane e xhudos, ndonëse me pak garues.
Edhe pasi i dha fund karrierës si xhudiste, Majlinda nuk iu nda xhudos. Tani është trajnere në ekipin e kryemjeshtrit Kuka. Përvojën e fituar në karrierën e mahnitshme, po e përcjell me shumë sukses te xhudistët e rinj.