Tashmë është zyrtare: Mustafa Koma largohet nga Dinamo për të nisur një aventurë të re në kampionatin belg me skuadrën e Genk.
Sulmuesi 19-vjeçar bën një hap cilësor në karrierë, ndërsa klubi dinamovit përfiton një shumë të majme nga shitja e tij.
Klubi kryeqytetas ka konfirmuar transferimin e sulmuesit në Belgjikë me anë të një njoftimi në rrjetet sociale.
“FC Dinamo City njofton zyrtarisht se ka arritur marrëveshjen me klubin belg KRC Genk për transferimin përfundimtar të të drejtave sportive të sulmuesit Mustapha Koma.
Një tjetër arritje e rëndësishme e klubit tonë në lëvizjen e lojtarëve drejt kampionateve prestigjioze europiane, pas atyre të Simon Simonit, Baton Zabërgjës, Itodo Mandelës dhe Karamba Gasamas.
Gjatë periudhës me fanellën e FC Dinamo City, Koma ka luajtur në total 21 ndeshje dhe ka spikatur me cilësitë e tij. Lojtari 19-vjeçar ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për skuadrën, me 3 gola të shënuar në kampionat dhe 1 në Conference League ndaj Astanës në Kazakistan.
Klubi e falënderon Mustapha Koma për angazhimin dhe performancën e tij me fanellën blu. Familja e madhe dinamovite i uron suksese lojtarit nga Gambia në këtë kapitull të ri të karrierës!
Transferimi i Koma në një ekip të njohur europian si KRC Genk, tregon qartë punën e mirë të klubit dinamovit për zhvillimin dhe promovimin e talenteve drejt futbollit europian”, shkruhet në njoftimin e klubit.