Ish-sulmuesi i Juventusit, Fabrizio Ravanelli, ka dhënë një intervistë për “Tuttosport”, ku ka folur për objektivat e bardhezinjve dy javë para fillimit të kampionatit. Ai gjithashtu ka mbështetur Di Gregorion, i cili është në qendër të kritikave dhe me shumë gjasa do t’ia lërë vendin një portieri të ri.
“Kur Juventusi renditet i dyti, është si humbje. Ne duhet të kërkojmë gjithmonë të fitojmë. Këtë sezon do të kemi tri kompeticione: Kupën e Italisë, ‘Europa League’ dhe kampionatin. Duhet të luftojmë deri në fund në të tria frontet, por është e logjikshme të kuptojmë madhështinë e kësaj skuadre dhe të këtij klubi”.
Sipas tij, fitimi i trofeut të dytë europian për nga rëndësia duhet të jetë objektiv: “Liga e Europës duhet të jetë objektivi i Juventusit, sepse i kemi të gjitha cilësitë për të shkuar deri në fund. Nuk do të jetë e lehtë, sepse fitimi i një trofeu nuk është kurrë i lehtë. Duhet edhe pak fat, të cilin duhet të dish ta kërkosh. Është thelbësore ta kërkosh fatin, por po aq thelbësore është të mendojmë se jemi Juventusi dhe duhet të punojmë fort çdo ditë, kokulur”.
Për portierin, Ravanelli tha: “Di Gregorios mund t’i them vetëm të qëndrojë i qetë. Është e vështirë, sepse portieri është pozicioni më i vështirë, por duhet të tregojë personalitet, karakter dhe të kujtojë se kur vesh këtë fanellë, je subjekt i kritikave. Duhet t’i pranosh dhe të reagosh”.