Drita e Gjilanit ka bërë një lëvizje të rëndësishme në pankinë, duke rikthyer Ardian Nuhiun në krye të skuadrës bardhekaltër.
Trajneri nga Shkupi rikthehet në një ambient që e njeh shumë mirë, ndërsa merr drejtimin pas largimit të Zekirija Ramadanit.
Për Nuhiun, kjo nuk është thjesht një tjetër aventurë në karrierë. Ai ka një histori të veçantë me Dritën, pasi ishte pikërisht në krye të skuadrës kur gjilanasit arritën një prej sukseseve më të rëndësishme të viteve të fundit.
Nuhiu mori drejtimin e Dritës në shkurt të vitit 2019 dhe vetëm një sezon më vonë e udhëhoqi ekipin drejt titullit të kampionit të Kosovës.
Në korrik të vitit 2020, Drita e siguroi matematikisht titullin, duke u shpallur kampione për herë të tretë në historinë e klubit.
Tash, disa vite pas atij suksesi, Nuhiu rikthehet në Gjilan me një mision të ri.
Ai do të ketë për detyrë të rikthejë skuadrën në rrugën e rezultateve dhe të përmbushë objektivat e klubit për sezonin e ri.
Rikthimi i tij ka ngjallur menjëherë reagime pozitive te tifozët e Dritës, të cilët e kujtojnë shumë mirë periudhën kur Nuhiu i udhëhoqi drejt titullit.
Tani mbetet të shihet nëse trajneri do të arrijë ta përsërisë suksesin e kaluar dhe t’i japë Dritës një tjetër kapitull të artë.