Arbitri somalez Omar Artan do të shkruajë histori në futbollin evropian, pasi do të jetë gjyqtari kryesor i ndeshjes së Superkupës së UEFA-s ndërmjet Paris Saint-Germain dhe Aston Villas.
Artan do të bëhet arbitri i parë jo-evropian që drejton një ndeshje të Superkupës së UEFA-s, në një moment të veçantë të karrierës së tij.
34-vjeçari ishte përzgjedhur për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, por nuk arriti të jetë pjesë e turneut pasi iu refuzua hyrja në Shtetet e Bashkuara. Artan kishte vizë të vlefshme, por u ndalua nga autoritetet amerikane për arsye të lidhura me kufizimet e emigracionit dhe sigurisë kombëtare.
Tani, vetëm pak javë pas asaj që e përshkroi si një periudhë shumë të vështirë, arbitri nga Somalia do të ketë mundësinë të drejtojë një nga ndeshjet më prestigjioze të futbollit evropian.
Superkupa do të zhvillohet të mërkurën në Red Bull Arena në Salzburg, ku kampioni i Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germain, do të përballet me fituesin e Ligës së Evropës, Aston Villa.
Emërimi i Artanit është rezultat edhe i bashkëpunimit të ri ndërmjet UEFA-s dhe Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF), duke i hapur rrugë një arbitri afrikan për të drejtuar një ndeshje të këtij niveli.
Artan është një prej arbitrave më të vlerësuar afrikanë. Ai është bërë arbitri i parë nga Somalia që ka drejtuar një finale të Ligës së Kampionëve të CAF dhe është shpallur arbitri më i mirë i vitit 2025 nga CAF.
“Mos ndaloni së ëndërruari”, është mesazhi i Artanit për arbitrat e rinj, pasi ai tashmë po përgatitet për një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij.
Në krah të tij do të jenë edhe arbitrat asistentë nga Xhibuti dhe Kenia, Liban Abdoulrazack Ahmed dhe Stephen Eleazar Onyango Yiembe.