Diego Maradona shfaqte “shenja alarmi” që nuk u morën parasysh nga mjekët gjatë kujdesit në shtëpi, para vdekjes së tij në vitin 2020. Këtë e deklaroi në gjykatë mjeku ligjor Carlos Cassinelli, në procesin ndaj shtatë profesionistëve shëndetësorë, të akuzuar për neglizhencë të mundshme që mund të ketë kontribuar në vdekjen e legjendës argjentinase.
Maradona vdiq nga pamjaftueshmëria kardiake dhe edema pulmonare akute, dy javë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas Cassinelli, në ditët para vdekjes ai kishte edemë në gjymtyrët e poshtme, ënjtje të gishtave, vështirësi në frymëmarrje, hipertension dhe rrahje zemre jashtëzakonisht të shpejta.
“Askush nuk shkoi të shihte se nga vinte ajo ënjtje”, – tha mjeku, duke e cilësuar atë si një rrezik potencialisht fatal.
Eksperti tha se gjendja e ish-yllit të Barcelonës dhe Napolit u përkeqësua gradualisht pas daljes nga spitali dhe se kujdesi në shtëpi ishte gabim. Sipas tij, Maradona mund të ketë kaluar rreth 12 orë në agoni para se të vdiste.
Shtatë të akuzuarit mohojnë përgjegjësinë dhe pretendojnë se Maradona vdiq nga shkaqe natyrale.