Përveç Egnatias, sot zbret në fushë edhe Dinamo. Blutë presin letonezët e Auda-s në “Elbasan Arena”, ora 21:00, në sfidën e kthimit të turit të tretë kualifikues të Conference League. Edhe skuadrës së trajnerit Ilir Daja i duhet një përmbysje, sepse në Letoni ka humbur 1-0.
Kryeqytetasve u bën punë vetëm fitorja, të paktën me njën gol për të shkuar në shtesa dhe me 2 gola e sipër për t’u kualifikuar në Play-off-in e Conference League, ku do të ndesheshin me humbësin e çiftit Salcburg-Pafos.
Trajneri Ilir Daja është një ekspert i ndeshjeve europiane dhe sot, edhe me ndihmën e tifozëve, Dinamo do të luajë gjithçka për gjithçka. Deri tani kjo skuadër ka eliminuar Astanën e Kazakistanit dhe Aluminij të Sllovenisë.
Dinamo pritet të zbresë në fushë me të njëjtin formacion, pasi trajneri Daja rrallë ndryshon. Ai do të ketë në dispozicion sot edhe mesfushorin Alhassan, një nga blerjet e merkatos së verës te blutë.