Jeremy Doku ka zgjatur qëndrimin e tij te Manchester City, duke nënshkruar një kontratë të re që do ta mbajë në “Etihad Stadium” deri në qershor të vitit 2031.
Anësori belg, i cili është 24 vjeç, iu bashkua kampionëve anglezë në verën e vitit 2023 nga Rennes, për një shumë prej rreth 65 milionë eurosh. Në vetëm tri sezone, Doku është shndërruar në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të repartit ofensiv të skuadrës.
Gjatë kësaj periudhe, ai ka regjistruar 131 paraqitje, 22 gola dhe 29 asistime, duke qenë një prej futbollistëve më të rrezikshëm të Cityt në duelet një kundër një.
Me klubin anglez, Doku ka fituar titullin e Ligës Premier, FA Cup, EFL Cup, Community Shield dhe Kupën e Botës për Klube. Tash, objektivi i tij është të vazhdojë të grumbullojë trofe dhe të ketë një rol edhe më të rëndësishëm në projektin e ri të skuadrës.
“E kam shijuar shumë kohën time te City dhe mundësia për të qëndruar edhe më gjatë është një ndjenjë fantastike”, ka deklaruar Doku, duke theksuar se klubi ka ndikuar shumë në zhvillimin e tij si futbollist dhe si person.
Belgu ka folur me entuziazëm edhe për bashkëpunimin me trajnerin e ri, Enzo Marescan, duke thënë se stili i tij i futbollit është ai që lojtarët e pëlqejnë dhe se pret me padurim sezonin e ri.
Statistikat tregojnë ndikimin e madh të Dokut. Që nga debutimi i tij te City, ai ka regjistruar 29 asistime, më shumë se çdo lojtar tjetër i klubit gjatë kësaj periudhe. Në Ligën Premier, ai ka kompletuar gjithashtu më shumë driblime se çdo futbollist tjetër, me 278 të realizuara.
Doku ka krijuar edhe 136 raste për bashkëlojtarët, duke u renditur ndër sulmuesit më produktivë të kampionatit anglez.
Me kontratën e re deri në vitin 2031, Manchester City i ka dhënë një votë të qartë besimi anësorit belg, ndërsa Doku synon ta shpërblejë këtë besim me gola, asistime dhe trofe të rinj.