Friday, 14. August 2026
Sport

Elite Youth Academy në Abissnet Superiore U-16 dhe U-17, trajneri Dama: Hap i rëndësishëm për talentet

GS 14/08/2026 3 Min. Lesezeit

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar pjesëmarrjen e Elite Youth Academy në kampionatet Abissnet Superiore U-16 dhe U-17 për dy sezonet sportive 2026–2027 dhe 2027–2028.

Vendimi është pjesë e strategjisë së FSHF-së për zhvillimin e futbollit të moshave dhe krijimin e një mjedisi më konkurrues për talentet e rinj.

Trajneri i Kombëtares shqiptare U-17, Armand Dama, ka folur për rëndësinë e këtij projekti dhe ndikimin që pritet të ketë në zhvillimin e futbollistëve të rinj. Ai thekson se pjesëmarrja në një kampionat më konkurrues do t’u japë lojtarëve mundësi të avancojnë më tej, ndërsa fokusi do të jetë te zhvillimi individual dhe jo te rezultati.

“Është vendim i drejtë. Është rrjedhojë e punës që ne kemi bërë nga 2-3 vjet dhe po shikojmë se çfarë po ndodh. Janë disa lojtarë që janë zhvilluar mirë deri tani, janë më të mirët nëpër ekipet e veta. Tani ka ardhur koha për të avancuar më shumë. Ka pasur problematika të vogla për sa i përket ekipeve.

Shpeshherë trajnerët luajnë për të fituar ndeshjet dhe herë pas here i ndryshojnë pozicionet e lojtarëve në raport me nevojat e ekipeve. Kurse te ekipi Kombëtar ne nuk do të luajmë për të fituar. E gjithë puna do të jetë e përqendruar te përmirësimi i individit.

Kemi menduar që është më mirë të marrin pjesë bashkë, edhe për sa i përket taktikave, edhe pozicioneve. Për sa i përket trysnisë për fitore, ne nuk do të kemi, ata do të luajnë dhe e gjithë puna do të jetë te zhvillimi i individit. Do të jetë shumë më e mirë për futbollistët, do të luajnë me një vit më të mëdhenj. Gara është më e fortë. Këtë ne pretendojmë, gara e fortë do të rrisë nivelin e lojtarëve”, – tha Dama.

Trajneri Armand Dama nënvizon gjithashtu rolin e Drejtorisë Teknike në monitorimin e vazhdueshëm të futbollistëve, duke theksuar se ndeshjet do të analizohen në mënyrë të detajuar dhe do të punohet individualisht me lojtarët për të adresuar problematikat dhe për të nxitur progresin e tyre.

“Drejtoria Teknike e ka ndjekur gjatë gjithë kohës se çfarë po ndodh, si po zhvillohen lojtarët dhe është një nga format e mira për t’i dhënë përparësi individit, për ta rritur atë.

Ne kemi plane për zhvillim gradual, si të individit, ashtu edhe grupit. Në përgjithësi janë paraqitur mirë. Kanë treguar që po luajnë mirë. Çdo javë do t’i regjistrojmë të gjitha ndeshjet, do të merremi me analizë. Do të merremi me individët për të analizuar të gjitha problematikat dhe shpresojmë me punë të mirë edhe dy vite që kemi të arrijmë nivele më të larta për futbollistët”, – tha Armand Dama.

Teilen: