Neil Magny mori një tjetër fitore të rëndësishme në karrierën e tij, duke mposhtur Ramiz Brahimajn me TKO në raundin e dytë të përballjes së tyre në UFC 330.
Përballja nuk nisi në mënyrën më të mirë për veteranin amerikan. Brahimaj përdori me efikasitet mundjen dhe kontrollin në tokë, duke e mbajtur Magnyn nën presion gjatë pjesës më të madhe të raundit të parë. Megjithatë, shqiptari nuk arriti të përfitonte maksimalisht nga dominimi i tij, pasi nuk shkaktoi dëme të konsiderueshme.
Situata ndryshoi në raundin e dytë. Magny nisi të gjente hapësirat e duhura dhe gradualisht mori kontrollin e duelit. 38-vjeçari e çoi Brahimajn pranë kafazit dhe filloi të godiste në seri, duke mos i lënë kundërshtarit shumë mundësi për të reaguar.
Pas një breshërie të vazhdueshme goditjesh, arbitri vendosi të ndërpresë përballjen në minutën 3:20 të raundit të dytë, duke i dhënë Magnys fitoren me nokaut teknik.
Kjo ishte fitorja e 31-të e Magnys në karrierë, kundrejt 14 humbjeve, ndërsa veterani amerikan vendosi gjithashtu një rekord të ri në divizionin welterweight të UFC-së.
Për Brahimajn, kjo ishte humbja e dytë radhazi. Shqiptari tani ka një bilanc prej 5 fitoresh dhe 5 humbjesh në UFC, ndërsa rekordi i tij profesional shkon në 13 fitore dhe 7 humbje.