Këtë javë, tri skuadrat shqiptare, një nga Kosova dhe dy nga Shqipëria, do t’i luajnë ndeshjet e para në kuadër të fazës “play-off” të garave të UEFA-s.
Drita, Egnatia dhe Dinamo, do të jenë nikoqire në duelet e para të kësaj jave, të cilat do t’i luajnë në mbrëmjen e njëjtë.
Dallimi i vetëm është që kampionia e Shqipërisë, Egnatia do të paraqitet në “play-off” të Ligës së Evropës kurse Drita e Dinamo në atë të Ligës së Konferencës.
Egnatia do të përballet me Lillestromin e Norvegjisë, të enjten nga ora 19:00, kurse Drita dhe Dinamo do t’i luajnë ndeshjet prej orës 20:00, përkatësisht 21:00.
Drita do të përballet me ekipin nga Andorra, Inter d’Escaldes kurse Dinamo do të ketë punë me Pafosin e Qipros.
Për dallim prej Dritës dhe Dinamos që duhet patjetër ti eliminojnë kundërshtarët për të prekur fazën e ligës në Ligën e Konferencës, skuadra e Egnatias nuk e ka një shqetësim të tillë.
Në rast se Egnatia nuk arrin të sigurojë fazën e ligës në Ligën e Evropës, tashmë e ka të sigurt paraqitjen në fazën e ligës të Ligës së Konferencës.