Dy futbollistët e Kombëtares së Kosovës, portieri Arijanet Muriq dhe mbrojtësi i krahut, Mërgim Vojvoda janë vlerësuar lart për paraqitjet e tyre në ndeshjet e para zyrtare të këtij sezoni në Itali.
Sassuolo ku luan Muriq dhe Udinese ku aktivizohet Vojvoda, me sukses kanë avancuar në 1/16 e finales të Kupës së Italisë.
Sassulo mposhti Cesenan 3:0 kurse Udinese triumfoi 1:0 ndaj Padovas, ndeshje këto në të cilat u aktivizuan reprezentuesit e Kosovës.
Kështu që, si Muriq ashtu edhe Vojvoda janë përfshirë në ekipin më të mirë të këtij raundi të Kupës së Italisë nga faqja e specializuar “SofaScore”.
Muriq është vlerësuar me notën 8.7 derisa Vojvoda me notën 8.3 dhe janë të vetmit që përfaqësojnë klubet e tyre në këtë 11-she.
Sezoni 2026/27 në Serie A të Italisë nis këtë vikend, ku Sassuolo përballet me Atalantan kurse Udinese luan kundër Comos.