Trajneri i Lillestrom, Hans Erik Odegaard ka folur për mediat në prag të ndeshjes kundër Egnatias, që do të luhet nesër në orën 19:00 në “Egnatia Arena” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Tekniku norvegjez vlerëson kampionët e Shqipërisë, madje e konsideron Egnatian një skuadër shumë të rrezikshme në sulm. Gjithsesi Odegaard thotë se Lillestrom ka ardhur për një rezultat pozitiv në Shqipëri.
“Egnatia është një ekip i mirë, i rrezikshëm në fazën sulmuese dhe shumë të mirë në kundërsulme. Mendoj se janë të fortë edhe kur hapen në krahë dhe arrijnë të dërgojnë shumë lojtarë në zonë për krosime. Kanë gjithashtu disa lojtarë individualisht shumë cilësorë, të cilët mund të na krijojnë probleme, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj tyre.
Po i kam parë ndeshjet e tyre në Kupat e Evropës. Egnatia është një skuadër që luan ndryshe në shtëpi e ndryshe në transfertë, por ne e dimë se çfarë presim nga kundërshtari”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Lillestrom.