Sfida mes kampionëve në fuqi të vendit dhe Lilestron transmetohet në RTSH. Rrogozhinasit entuziastë kërkojnë grupet e Europa League.
Oreksi vjen duke ngrënë edhe në futboll. Egnatia dhe Dinamo, të konfirmuara tashmë si dy skuadrat më të mira të kampionatit shqiptar, kërkojnë suksesin edhe në skenën e madhe, në skenën europiane. Këto dy skuadra luajnë sot përpara tifozëve të tyre aktin e parë të Play-off-it.
Egnatia ka siguruar grupet e Conference League, por nuk kënaqet me kaq. Kampionët në fuqi të vendit kanë një shans të artë për të kapur grupet e Europa League, nëse kalojnë norvegjezët e Lilestrom. Një kundërshtar i kalueshëm, po të kemi parasysh atë çfarë ka bërë Egnatia në ndeshjet e deritanishme europiane.
Një plus për skuadrën e trajnerit Nevil Dede, përveç faktorit fushë, është edhe fakti se Lilestrom është në krizë rezultatesh. Norvegjezët nuk kanë fituar asnjë nga katër ndeshjet e fundit në kampionat.
Rrogozhinasit me shumë gjasa pritet të zbresin në fushë me ekipin që eliminoi Shamrock Rovers javën e kaluar. Mungon Ndreca për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e fundit dhe vendin e tij pritet ta marrë Jago, ose Ajetovikij. Ndeshja starton në orën 19:00.
Dinamo ka mbërritur në Play-off, duke bërë një paraqitje goxha të mirë, pasi ka eliminuar Astanën, Aluminij dhe Auda. Pafos është kundërshtari që ndan blutë nga grupet e Conference League, një skuadër me nivel më të lartë dhe eksperiencë ndërkombëtare.
Trajneri Ilir Daja është një ekspert i ndeshjeve europiane dhe mbetet për t’u parë, nëse ai do të bëjë mrekullinë e radhës, apo Dinamo do të ndalet në Play-off, si një vit më parë. Numri 1 i stolit kryeqytetas mbështetet tek i njëjti grup lojtarësh dhe kështu do të ndodhë edhe sot në “Elbasan Arena”.
Përndreca ka shlyer dënimin nga kartoni i kuq dhe pritet të kthehet titullar, duke marrë vendin e Lorran të dëmtuar ndaj Auda. Dyshimi më i madh ka të bëjë me aktivizimin ose jo nga minuta e parë të sulmuesit Ruben Silva-Richards.
Dinamo-Pafos Sarton në orën 21:00.