Skuadra nga Tirana, Dinamo City është gati për një tjetër sfidë të rëndësishme në garat evropiane.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Ilir Daja, në mbrëmje do ta luajë ndeshjen e parë të “play-offit” kualifikues të Ligës së Konferencës kundër Pafosit.
Dueli mes ekipit shqiptar dhe atij nga Qipro, zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” dhe nis në orën 21:00.
Pas paraqitjes fantastike ndaj Audas, ku triumfoi me rezultatin 4:0 në “Elbasan Arena” dhe përmbysi humbjen 1-0 të ndeshjes së parë në Letoni, Dinamo City siguroi kualifikimin në play-off dhe tashmë është vetëm një hap larg fazës së ligës të Ligës së Konferencës.
Dinamo City futet në këtë përballje me besim të lartë, e cila vjen pas një tjetër mbrëmjeje të suksesshme në arenën evropiane.
Përballë do të jetë Pafos, në një sfidë që pritet të jetë një tjetër provë e fortë për skuadrën shqiptare.
Dinamo City do të kërkojë të shfrytëzojë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve për të marrë një rezultat sa më pozitiv në ndeshjen e parë të këtij raundi.
Pas një rrugëtimi të suksesshëm deri në këtë pikë, Dinamo City synon të vijojë të shkruajë një tjetër kapitull në aventurën evropiane dhe të hedhë një hap të rëndësishëm drejt objektivit të madh, kualifikimit në fazën e ligës së Konferencës.