Vllaznia dhe Skënderbeu janë dy skuadrat e para që zbresin në fushë për kampionatin e ri të Abissnet Superiore, që vjen në ekranin e RTSH. Këto skuadra përballen mbrëmjen e së premtes në stadiumin “Loro Boriçi” për javën e parë të kampionatit.
Trajneri i shkodranëve, Edi Martini, doli sot në konferencë për shtyp, ku veç temave të tjera komentoi edhe sezonin që shkoi. Ai nuk e konsideron dështim faktin që Vllaznia doli pa trofe, ndërkohë që nuk kanë munguar akuzat për arbitrat.
“Dështim do të ishte, nëse Vllaznia do të ishte 25 vite radhazi kampione dhe do ta humbte këtë vit, por ne kemi 25 vite që nuk fitojmë. Nuk më duket dështim. Dështim personal, po. Zhgënjim për tifozët, po sepse ishim afër. Megjithë të këqijat dhe dobësitë tona që kishim, në ato momente u shtua edhe arbitrimi, sepse unë kam humbur kundër Dinamos në Kupë.
Na është ngrënë një penallti ose një gol, që vetëm Juxhin Xhaja e di që ishte në VAR. Ndeshjen me Egnatian jam ndëshkuar me një karton të kuq të padhënë, që do të ishim në finale. Përveç problemeve tona, ishin dy gabime arbitrare që na ndalën në Kupë dhe në kampionat”, – tha trajneri Martini mes të tjerash.
Ai gjithashtu theksoi: “Jam i bindur që askush nuk mund të ma mbyllë gojën. Askush nuk mundet me ofendu, apo të bëjë arrogantin as kundër meje, as kundër ekipit tim dhe as kundër qytetit tim”.