Thursday, 20. August 2026
Sport

Abissnet Superiore në RTSH starton me sfidën Vllaznia-Skënderbeu

GS 20/08/2026 2 Min. Lesezeit

Vllaznia dhe Skënderbeu do të hapin javën e parë të kampionatit të 88-të kombëtar me ndeshjen midis tyre të premten në orën 21.00 në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Përballë do të jenë dy nga skuadrat më të vjetra të vendit, në një ndeshje traditash, ndonëse në start secila vjen në pozita të ndryshme.

Vllaznia e Edi Martinit vjen pas vendit të tretë në sezonin e fundit, ndërsa Skënderbeu kthehet si nën-kampion i Kategorisë së Parë, pas një viti mungesë në Abissnet Superiore.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse Vllaznia do të jetë që nga fillimi me statusin e pretendetes, për shkak të ndryshimeve të shumta në skuadër. Një numër i madh lojtarësh janë larguar, të zëvendësuar nga të tjerë, të cilët kërkojnë kohën e nevojshme për t’u bërë skuadër.

Afrime të shumta edhe te Skënderbeu, me synimin për të qëndruar në elitë e për t’u kthyer në ditët më të mira, por regjistrimi i lojtarëve aktualisht është i bllokuar për shkak të detyrimeve të pashlyera.

Takimi i hapjes së kampionatit do të transmetohet direkt dhe ekskluzivisht në ekranin e RTSH 1.

Teilen: