Barcelona ka bërë një hap të rëndësishëm në përpjekjen për të transferuar sulmuesin e Interit, Lautaro Martínez. Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, klubi katalanas ka arritur një marrëveshje paraprake me përfaqësuesit e sulmuesit argjentinas për kushtet personale të një kontrate të mundshme.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, së bashku me Bojan Krkić, kanë zhvilluar takime me stafin e Lautaros dhe palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për aspektet financiare të marrëveshjes.
Pas këtij hapi, Barcelona pritet të përqendrohet te negociatat me Interin. Klubi italian nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga kapiteni i tij, i cili ka kontratë deri në vitin 2029 dhe mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës zikaltër.
Megjithatë, një ofertë e konsiderueshme mund të ndryshojë situatën. Barcelona po përgatit një propozim fillestar që pritet të jetë nën shifrën 100 milionë euro, ndërsa Interi do të vlerësojë çdo ofertë që do të mbërrijë për sulmuesin argjentinas.
Lautaro Martínez është identifikuar nga drejtuesit katalanas si objektivi kryesor për repartin ofensiv, pasi klubi ka hequr dorë nga gara për sulmuesin e Atletico Madridit, Julián Álvarez.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Barcelona do të arrijë të bindë Interin për të lënë të lirë “El Toron” dhe për ta sjellë atë në Camp Nou.