José Mourinho ka publikuar listën e tij të parë zyrtare që nga rikthimi në stolin e Real Madridit, në prag të ndeshjes hapëse të sezonit në La Liga ndaj Espanyolit.
Dëmtimet kanë detyruar trajnerin portugez të lërë jashtë disa futbollistë, ndërsa tri talente nga akademia kanë marrë mundësinë të jenë pjesë e skuadrës së parë.
Real Madridi do të përballet të shtunën në mbrëmje me Espanyolin, në kuadër të xhiros së dytë të kampionatit spanjoll.
Braziliani Endrick dhe francezi Aurélien Tchouaméni nuk janë përfshirë në listë, ndërsa të rinjtë Mario Rivas, Cestero dhe Alexis Ceria kanë fituar besimin e Mourinhos pas paraqitjeve të mira gjatë fazës përgatitore.
Endrick do ta humbasë ndeshjen për shkak të një dëmtimi të lehtë muskulor.
Stafi teknik ka vendosur të mos rrezikojë me sulmuesin brazilian në këtë fazë kaq të hershme të sezonit.
Ndërkohë, Tchouaméni është rikthyer tashmë në stërvitje me grupin, por Mourinho preferon të mos nxitojë me aktivizimin e tij, pasi mesfushori ende nuk konsiderohet plotësisht i gatshëm për një ndeshje zyrtare.
“Ai është mirë, por erdhi me disa shqetësime fizike dhe ka zhvilluar vetëm pak stërvitje me ekipin e parë”, deklaroi Mourinho.
Edhe kalendari i ngjeshur ka ndikuar në vendim.
Real Madridi do të zhvillojë tri ndeshje të kampionatit brenda tetë ditësh, ndaj stafi teknik po tregohet i kujdesshëm me lojtarët që po rikthehen nga dëmtimet.