Monday, 24. August 2026
Sport

Sadiku: Kam ardhur në Taranto me synim të qartë, dua medaljen e artë

GS 24/08/2026 2 Min. Lesezeit

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka siguruar medaljen e parë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026.

Sadiku e ka mposhtur boksieren turke Esmanur Lok, duke siguruar medaljen e bronztë, por synimi i saj mbetet shumë më i madh – medalja e artë.

Pas fitores, Sadiku ka thënë se meçi ka shkuar pikërisht sipas planit të përgatitur së bashku me trajneren e saj, Marjola Sallauka.

Ajo ka falënderuar trajneren, sportistët e tjerë dhe komunitetin kosovar për mbështetjen e dhënë nga tribunat.

Megjithatë, boksierja kosovare ka bërë të qartë se medalja e bronztë nuk e kënaq plotësisht, pasi ajo në Taranto ka udhëtuar me synimin për ta fituar medaljen e artë dhe për ta dëgjuar himnin e Kosovës.

“Meçi ka shkuar ashtu siç e kemi planifikuar së bashku me trajneren time, Marjola Sallauka, të cilën e falënderoj shumë. Po ashtu e falënderoj të gjithë sportistët e tjerë dhe gjithë komunitetin e Kosovës që kanë qenë në sallë, të cilët më kanë dhanë një mbështetje shumë të madhe dhe kanë qenë një shtytje shumë e madhe për mua. Unë kam ardhur këtu për një synim tjetër, që me siguru medaljen e artë, kështu që nuk i gëzohem edhe aq shumë kësaj medalje. Synimi im edhe qëllimi im është që të dëgjohet himni këtu në Taranto.”, u shpreh fillimisht Sadiku.

Sadiku ka thënë se ka qenë e vetëdijshme për formën e mirë në të cilën ndodhet dhe për këtë arsye nuk ka ndier presion para paraqitjes së saj.

“E kam ditur në çfarë farë forme të mirë jam edhe kam pritur një rezultat të tillë. Kam thënë edhe më herët në Kosovë që do të nisem vetëm me një qëllim, që me siguru vetëm medaljen e artë. Kështu që nuk kam pasur ndonjë presion, kam qenë shumë e qetë.”, shtoi Sadiku.

Donjeta Sadiku do ta zhvillojë meçin e radhës më 27 gusht, kur do të përballet me boksieren greke Sofia Legaki.

Kosovares i nevojitet edhe një fitore për t’iu afruar edhe më shumë synimit të saj për medaljen e artë në Taranto.

Teilen: