Rafael Leao duket se ka marrë vendimin për të ardhmen e tij dhe destinacioni i radhës mund të jetë Premier League. Sulmuesi portugez është lidhur gjatë gjithë verës me një largim nga AC Milan, ndërsa tashmë raportohet se ai ka zgjedhur klubin ku dëshiron të vazhdojë karrierën.
Sipas raportimeve nga media portugeze Record, të përcjella nga Milan Eye, Leao ka vendosur të transferohet te Aston Villa. Ky vendim mund t’i hapë rrugë përfundimit të negociatave mes klubit anglez dhe Milanit.
Leao e kishte shprehur më herët dëshirën për të provuar një eksperiencë të re, ndërsa Premier League ishte përmendur si një nga destinacionet e mundshme për të, përcjell ORAinfo.
Aston Villa tashmë ka paraqitur një ofertë kontraktuale prej rreth 6.5 milionë eurosh, ndërsa kjo shifër mund të përmirësohet pas vendimit të portugezit për t’iu bashkuar klubit nga Birmingham.
Milani, nga ana tjetër, duket se ka qëndruar i palëkundur në kërkesat e tij financiare. Kuqezinjtë kishin vendosur një çmim për lojtarin dhe, nëse marrëveshja finalizohet, mund të shpërblehen për qëndrimin e tyre në negociata.
Me mbylljen e afatit kalimtar që po afrohet me shpejtësi, palët duhet të përshpejtojnë bisedimet. Tashmë pritet vetëm finalizimi i detajeve të fundit për një transferim që do t’i jepte fund aventurës së Leao-s me Milanin.
Nëse marrëveshja realizohet, Rafael Leao do të largohej nga San Siro për të nisur një kapitull të ri në Premier League me Aston Villa-n. /ORAinfo/