Friday, 28. August 2026
Sport

Abissnet Superiore në RTSH/ Java e dytë luhet në tri ditë, mbyllet të hënën në Elbasan

GS 28/08/2026 2 Min. Lesezeit

Java e dytë e kampionatit të Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH, është programuar të luhet e ndarë në tri ditë. Të shtunën luhen dy sfida të rëndësishme, Partizani-Laçi dhe Elbasani-Vllaznia.

Partizani do ta presë Laçin në stadiumin e Rrogozhinës, pasi nuk e ka ende gati fushën e vet. Të kuqtë synojnë fitoren e parë, pas barazimit të javës së parë me Teutën. Elbasani dhe Vllaznia po ashtu, dy skuadra rivale, vijnë pas barazimeve dhe duan 3-pikëshin e parë.

Për të dielën është vendosur të luhet vetëm një ndeshje, Teuta-Tirana, që starton në orën 21:00. Tjetër transfertë delikate për Tiranën, që javën e parë u mund në Rrogozhinë.

E hëna rezervon ndeshjet e dy skuadrave të impenjuara në kompeticionet europiane në mesjavë, Egnatias dhe Dinamos. Egnatia luan me Vorën në orën 16:00 dhe në mbrëmje luhet Skënderbeu-Dinamo.

Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e Elbasanit, edhe pse korçarët janë pritës. Pas marrëveshjes mes dy klubeve dhe FSHF-së, u ra dakord që këtë javë të luhet në Elbasan dhe fazën e dytë në Korçë, ku stadium nuk ishte ende gati për këtë ndeshje.

 

Teilen: