Friday, 28. August 2026
Sport

Martini para Elbasanit: S’është e lehtë të marrësh pikë atje, Gjini s’ka qenë kurrë i Vllaznisë

GS 28/08/2026 2 Min. Lesezeit

Vllaznia luan të shtunën kundër Elbasanit në transfertë dhe trajneri Edi Martini e konsideron një ndeshje të luftuar. Në konferencën për shtyp ai theksoi se në fillim të kampionatit rëndësi kanë pikët. Po ashtu, trajneri i kuqebluve u shpreh se mund të ketë ndonjë afrim në fundin e merkatos dhe klubi është në pritje.

“Në ndeshjet e para me rëndësi është rezultati. E di që loja nuk është fort e mirë, por rëndësi kanë pikët. Me Elbasanin është një ndeshje e fortë dhe kemi punuar tërë javën për të rregulluar ato që nuk shkuan mirë në ndeshjen e parë.

Jemi përgatitur për të bërë më mirë. Në Elbasan nuk është e lehtë të marrësh pikë. Do të jetë një ndeshje e fortë, por le t’ia lëmë fushës. Elbasanin e kam ndjekur në ndeshjen me Laçin, është një skuadër kompakte, e mirë, sidomos në tranzicionin pozitiv, ku ka lojtarë të shpejtë. Do të mundohemi të limitojmë pikat e forta të tyre, sigurisht duke bërë lojën tonë. Jemi në kolaudim e sipër, do të jetë një ndeshje e luftuar.

Nuk kemi ngërç psikologjik, sepse një ndeshje kemi barazuar dhe nuk është fundi i botës. Duhen pikët, ky është problemi. Ne jemi mirë. Largimi i Kobiljar nuk mendoj se do të ndikojë, kemi lojtarë të tjerë në mesfushë. Mund të kemi ndonjë afrim në fund, por duhet të matemi mirë. Kemi kontakte me disa lojtarë shumë të mirë, por që janë në pritje të zhvillimeve në kampin e vet, kështu që presim.

E mira do të ishte të luanim me tifozë, sepse futbolli për ta luhet, por vitet e fundit faktori i tifozëve nuk është se ka luajtur ndonjë rol shumë të madh. Shpresoj që nga ndeshja në ndeshje të kemi rritje, sepse janë shumë lojtarë të rinj në formacion dhe nuk janë shkrirë me ekipin.

Gjini? Ai nuk ka qenë kurrë lojtar i Vllaznisë. Ai ka qenë në huazim nga Ballkani dhe kur mbaroi afati u kthye atje. Pastaj nuk e di si kanë vazhduar gjërat”, – tha mes të tjerash trajneri i Vllaznisë, Edi Martini.

Elbasani-Vllaznia luhet nesër, në orën 18:30 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH.

Teilen: