Friday, 28. August 2026
Sport

Lojërat Mesdhetare në RTSH/Kosova, tri medalje të bronzta

GS 28/08/2026 2 Min. Lesezeit

Kosova shkëlqen në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, teksa ka marrë tre medalje të tjera pikërisht në sportin e saj të preferuar, xhudon. Pas medaljes së artë në boks të Donjeta Sadikut shkëlqejnë tre të bronztat e xhudos nga Fatjona Kasapi, Akil Gjakova dhe Flaka Loxha. Fatjona Kasapi, kjo në peshën deri në 52 kilogram, mundi 1-0 italianen Gaja Stela. Një fitore në kohë shtesë dhe pikë të artë, por që i hapi rrugën xhudos dardane për të tjera medalje. Më pas në peshën deri në 73 kilogram, Akil Gjakova do të mundte me Ippon, turkun Çilogly. Dhe në fund, po me Ippon, në kohë shtesë do të fitonte dhe Flaka Loxha ndaj turkes Budak.

Të vetmit që nuk u ngjitën në podiumin e medaljeve ishin Erza Munimoviq, e cila në peshën 48 kilogram u mund me Ippon nga spanjollja Rodrigues Salvador. E po kështu dhe Dardan Cena, që në peshën deri në 81 kilogram, është mundur me Ippon nga turku Albajra. I vetmi që ka mbetur në garë për Kosovën në xhudo është Shpat Zekaj në peshën deri në 100 kilogram duke shpresuar që do të ngjitet në podiumin e medaljeve.

Për Shqipërinë, si Indrid Çullhaj në peshën deri në 81 kilogram, ashtu dhe Erisa Brahimaj në peshën 57 kilogram janë eliminuar që në fillim, ndërsa ndeshjet e tyre i kanë humbur me pikë. Në këtë mënyrë, Kosova ka mbërritur në numrin katër të medaljeve në “Taranto 2026”, kurse Shqipëria ka mbetur tek tre medaljet e mundjes.

Teilen: