Sunday, 30. August 2026
Sport

Reagon Elbasani: Hedhim poshtë çdo akuzë për mosrespektim të procedurave

GS 30/08/2026 2 Min. Lesezeit

Edhe klubi i Elbasanit ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar pas ndeshjes Elbasani-Vllaznia, duke hedhur poshtë çdo akuzë për mosrespektim të procedurave të organizimit të një ndeshjeje pa praninë e tifozëve, si dhe çdo pretendim për ushtrim dhune ndaj lojtarëve apo përfaqësuesve të ekipit kundërshtar.

Njoftimi i plotë:

“Në lidhje me pretendimet e publikuara pas ndeshjes AF Elbasani – KF Vllaznia, klubi ynë hedh poshtë kategorikisht çdo akuzë për mosrespektim të procedurave të organizimit të një ndeshjeje pa praninë e tifozëve, si dhe çdo pretendim për ushtrim dhune ndaj lojtarëve apo përfaqësuesve të ekipit kundërshtar.

Theksojmë qartë se nga ana e AF Elbasanit, stafit apo personave nën përgjegjësinë apo jo të klubit nuk është ushtruar asnjë formë dhune. Përkundrazi, incidenti i dhunshëm i regjistruar pas përfundimit të ndeshjes është evidentuar dhe dënuar publikisht edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, në reagimin e saj zyrtar.

AF Elbasani, në bashkëpunim me kompaninë e sigurisë dhe përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, ka ndjekur me përpikëri procedurat dhe masat e nevojshme për mbarëvajtjen dhe sigurinë e ndeshjes.

Ftojmë çdo palë që ka ngritur akuza ndaj klubit tonë të paraqesë fakte, prova apo materiale filmike konkrete që vërtetojnë pretendimet e bëra. Nëse paraqitet një provë e tillë për shkelje, klubi do të marrë menjëherë masat përkatëse.

AF Elbasani nuk do të heshtë përballë akuzave të pabazuara dhe nuk do të lejojë që emri i klubit të përdoret për të zhvendosur përgjegjësinë për ngjarje që nuk janë shkaktuar prej tij”, shkruhet në komunikatën zyrtare të Elbasanit.

Teilen: