Alessandro Bastoni foli për kritikat e marra sezonin e kaluar, veçanërisht në rrjetet sociale, pas simulimit në ndeshjen Inter-Juventus: “Kritikat që mora sezonin e kaluar? Është një diskutim shumë i gjerë, sidomos për shkak të rrjeteve sociale. Në botën e rrjeteve sociale, shumë njerëz janë të aftë të të gjykojnë dhe kritikojnë, por kjo është puna jonë. Ne e kemi zgjedhur këtë dhe duhet të përballemi me të”.
Mbrojtësi i Interit, i cili mori çmimin si një prej mbrojtësve më të mirë të sezonit të kaluar në “Gran Galà del Calcio”, shtoi: “Gjithsesi, pas asaj që ndodhi shkurtin e kaluar, unë dhe Giorgio Chiellini kemi komunikuar dhe ai më ka ndihmuar shumë. Për mua, Giorgio ka qenë gjithmonë një pikë referimi”.