FIFA ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Federatës Marokene të Futbollit, Fouzi Lekjaa, i cili kishte bërë të ditur se Maroku do të presë finalen e Kupës së Botës 2030.
Lekjaa kishte deklaruar se ndeshja për trofeun e madh do të zhvillohej në Marok, në një edicion historik të Botërorit që do të organizohet nga Maroku, Spanja dhe Portugalia.
Megjithatë, FIFA ka hedhur poshtë çdo konfirmim të tillë, duke sqaruar se deri në këtë moment nuk është marrë asnjë vendim zyrtar për stadiumin apo qytetin që do të presë finalen e Kupës së Botës.
Edicioni i vitit 2030 do të jetë i veçantë, pasi turneu do të zhvillohet kryesisht në Marok, Spanjë dhe Portugali, ndërsa tri ndeshjet e para do të luhen në Argjentinë, Uruguai dhe Paraguai, në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e Kupës së Botës.
Pavarësisht deklaratave të Lekjaa-s, FIFA ka bërë të qartë se gara për të pritur finalen mbetet ende e hapur dhe se vendimi përfundimtar nuk është marrë.
Nuk është hera e parë që FIFA detyrohet të sqarojë situatën rreth finales së Botërorit 2030. Më herët, institucioni më i lartë i futbollit botëror kishte mohuar edhe raportimet se presidenti Gianni Infantino i kishte premtuar Marokut organizimin e finales në këmbim të mbështetjes politike për rizgjedhjen e tij në krye të FIFA-s.
Për momentin, pra, finalja e Botërorit 2030 mbetet pa një adresë zyrtare.