Daniel Maldini rezultoi pozitiv në alkool-test dhe iu tërhoq patenta pas aksidentit me “Porsche Carrera”, ku u përfshi dje në mëngjes në Milano. Futbollisti i Cagliari regjistroi vlera 0,91 mg/l në testin e parë dhe 0,89 mg/l në të dytin, të kryer në vendngjarje nga policia bashkiake. Priten rezultatet e spitalit për të verifikuar praninë e substancave narkotike.
Çfarë do të thotë 0,91 mg/l? Kjo vlerë e alkool-testit korrespondon me 1,82 g/l alkool në gjak. Sipas nenit 186 të Kodit Rrugor italian, mbi 1,5 g/l përbën kategorinë më të rëndë të veprës penale, me pezullim të patentës për 1-2 vjet dhe konfiskim të automjetit.

Sipas rindërtimit të aksidentit nga policia, Maldini hyri në “via Caracciolo” nga “via Tolentino” pa i dhënë përparësi një Golf-i. “Porsche” e tij përplasi makinën tjetër, e cila goditi më pas një “Mercedes” të parkuar.
Maldini u dërgua në spital, por doli që andej menjëherë. Avokati Danilo Buongiorno deklaroi: “Daniel është mirë dhe nuk ka pësuar asnjë dëmtim, aq më pak të rëndë”.