Liverpool do të luajë sot ndaj Tottenham në ndeshjen e vlefshme për raundin e tretë të Carabao Cup. Trajneri Andoni Iraola tha se te Liverpool të gjithë duhet të pranojnë se do të ketë ulje-ngritje ndërsa lojtarët përshtaten me stilin e tij të lojës.
Trajneri spanjoll pranon se mbrëmja e së shtunës ishte ndoshta momenti kur është ndjerë më i zhgënjyer që kur zëvendësoi Arne Slot këtë verë, pasi performanca (0-0 me Fulham) shënoi një hap prapa krahasuar me fitoret ndaj Ipswich dhe Atletico.
“E kuptoj zhgënjimin e atij momenti, sepse edhe ne ishim të zhgënjyer. Vinim pas dy ndeshjeve të mira dhe i konsideronim si një hap përpara ato dy fitore. Ndaj, donim që kjo të ishte një tjetër hap përpara. Por jo, ishte një hap prapa”, tha Iraola.
“Mendoj se duhet të pranojmë që do të ketë ulje-ngritje gjatë këtij procesi, por e kemi të qartë se ku duam të shkojmë. Më shumë drejt asaj që kemi treguar ndaj Atletico Madrid dhe Ipswich; ai është stili i futbollit që duam”, shtoi spanjolli.
Më tej, Iraola tha: “Mendoj se tani çelësi është qëndrueshmëria për të luajtur në atë nivel. Ka lojtarë që luajnë çdo tri ditë, nuk kanë probleme dhe janë shumë rezistentë. Ata mund ta përballojnë këtë dhe performancat e tyre nuk ndryshojnë shumë”.
“Ka lojtarë ku rreziku është më i madh dhe performancat janë të ndryshme. Duhet të kuptoj se kush është gati të luajë tri apo katër ndeshje radhazi çdo 2-3 ditë dhe kush ka nevojë për pushim në mënyrë që të mos cënohet niveli i performancës”, tha Iraola.