Futbollisti nga Kosova dhe kapiteni i përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhaka, ka reaguar publikisht pas zhvillimeve të fundit gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Instagram, Xhaka ka shpërndarë një imazh mbështetës ku shihen fotografitë e ish-krerëve të UÇK-së — Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
“Luftuan në tokën e tyre, për lirinë e atdheut. Liria ka emër”, shkruhet në postimin e Xhakës.
Në pjesën e poshtme të imazhit shfaqet edhe flamuri me stemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përcjellë një mesazh të qartë solidarizimi dhe mbështetjeje për krerët e UÇK-së.
Xhaka njihet për mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj çështjes kombëtare dhe figurave historike të Kosovës.
