Superkupa e Spanjës për vitin 2027 do të zhvillohet në një tjetër destinacion spektakolar.
Stambolli i Turqisë është përzgjedhur si nikoqir i turneut, ndërsa katër skuadra të mëdha të futbollit spanjoll do të zbresin në fushë për trofeun.
Në edicionin e vitit 2027 do të marrin pjesë Barcelona, Real Madridi, Atletico Madridi dhe Real Sociedad.
Ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin olimpik “Ataturk”, ndërsa turneu është planifikuar në fillim të muajit shkurt.
Gjysmëfinalja e parë do të luhet më 2 shkurt, ku Real Sociedad do të përballet me Real Madridin. Po atë ditë, në gjysmëfinalen tjetër, Barcelona do të sfidojë Atletico Madridin.
Finalja e madhe është programuar për 7 shkurt, ku dy fituesit do të përballen për trofeun e Superkupës.
Barcelona hyn në këtë garë me synimin për të vazhduar dominimin, pasi ka fituar dy edicionet e fundit.
Por përveç trofeut, në Stamboll do të jetë në lojë edhe një shumë e konsiderueshme parash.
Sipas raportimeve, katër klubet pjesëmarrëse do të ndajnë mes tyre 40 milionë euro, në bazë të marrëveshjes së turneut.
Stambolli u përzgjodh pasi Arabia Saudite, e cila ka organizuar edicionet e fundit, do të ketë një tjetër angazhim të madh sportiv në atë periudhë.
Superkupa pritet të transmetohet në më shumë se 150 vende të botës, duke e kthyer turneun në një spektakël të madh ndërkombëtar.
Katër skuadra, dy gjysmëfinale dhe vetëm një trofe. Stambolli po bëhet gati për Superkupën e Spanjës 2027!