Pritjes i erdhi fundi, pasi sezoni 2026/27 në elitën e basketbollit kosovar nis këtë vikend, me katër ndeshjet e xhiros së parë, që do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën.
Në të vërtetë, sezoni hapet me ndeshjen derbi ndërmjet rivalëve të vjetër, Sigal Prishtinës dhe Pejës.
Kjo përballje luhet në Prishtinë dhe nis në orën 17:00, ku të dyja skuadrat synojnë fitoren për një start pozitiv të sezonit të ri.
Të shtunën, zhvillohet edhe një ndeshje tjetër por prej orës 19:00 dhe luhet në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Skuadra Rahoveci 028 e pret kampionen në fuqi, Trepçën në këtë përballje që gjithashtu pritet të jetë interesante.
Xhiro e parë, do të vazhdojë me dy ndeshje edhe të dielën, ku njëra luhet në Prizren dhe tjetra në Prishtinë.
Prej orës 17:00 në palestrën “Sezai Surroi” skuadra e Bashkimit e pret Golden Eagle Yllin kurse nga ora 20:00, do të luhet që e fundit e xhiros së parë, ajo ndërmjet Borës dhe Vëllaznimit.
E veçanta e këtij sezoni është se të gjitha tetë skuadrat e Superligës së Kosovës në basketboll, drejtohen nga trajnerë të huaj.