Sulmuesi francez i Real Madrid i ka dhënë fund marrëdhënies prej dy dekadash që kishte me “Nike” për të firmosur një akord me “On”.
Kylian Mbappe ka habitur me lëvizjen e tij më të fundit duke iu bashkuar kompanisë së veshjeve sportive me bazë në Zvicër, e cila zotërohet pjesërisht nga Roger Federer.
Ky hap tregon qartë ambiciet e kompanisë “On” për t’u zgjeruar përtej sporteve si vrapi dhe tenisi drejt futbollit, ku planifikon të lançojë këpucët e saj të para në vitin 2027. Në këtë aspekt është angazhuar edhe ish-ylli francez i futbollit Thierry Henry, i cili është drejtor i departamentit të futbollit.
Kalimi i Mbappé-s te “On” i jep fund bashkëpunimit midis kapitenit të kombëtares franceze dhe “Nike”, një marrëdhënie që daton që nga viti 2006, kur ai ishte vetëm 9 vjeç dhe vjen menjëherë pasi “Nike” humbi Lamine Yamal-in, i cili ka firmosur për “Adidas”-in.
“Jemi krenarë për atë që arritëm së bashku, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Ndërsa ai kalon në fazën tjetër të karrierës së tij, i urojmë suksese të mëtejshme në hapat e ardhshëm,” tha “Nike” në një deklaratë.
Largimi i tij vjen pavarësisht pozicionit të fortë të Nike në Francë, ku kompania ka siguruar zgjatjen e marrëveshjes afatgjatë për furnizimin me materiale sportive të kombëtares franceze deri në sezonin 2033-34. A.V.