Monday, 21. September 2026
Sport

Amorim zbulon sekretin e Milanit pas fitores

GS 20/09/2026 5 Min. Lesezeit

Ruben Amorim është shprehur i kënaqur me paraqitjen e Milanit në fitoren bindëse 3-0 ndaj Lecces, duke theksuar se skuadra po tregon gjithnjë e më shumë potencialin e saj.

Milani u rikthye te fitorja para ndërprerjes së parë të gjatë të sezonit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve. Kuqezinjtë triumfuan 3-0 ndaj Lecces, me Christian Pulisic që realizoi në pjesën e parë, ndërsa Adrien Rabiot dhe Diego Moreira shënuan në fraksionin e dytë.

Fitorja ishte veçanërisht e rëndësishme për Milanin, pasi skuadra kishte kaluar tre ndeshje pa fitore. Barazimi mes Interit dhe Romës të shtunën ka bërë që gara në krye të tabelës të jetë sërish shumë e ngjeshur, me vetëm dy pikë që e ndajnë Milanin nga kreu.

Pas ndeshjes, trajneri Ruben Amorim foli për DAZN, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës dhe progresin e bërë, përcjell ORAinfo.

Amorim: “Lojtarët kishin më shumë liri”

“Jemi përmirësuar shumë. Mendoj se liria e lojtarëve, lëvizjet e tyre dhe sidomos vrapimet nga prapa bënë diferencën.

Nuk ishim vetëm një skuadër që kontrollonte topin, por gjithashtu një ekip i rrezikshëm kur kishim hapësira për të vrapuar. Ky ishte një faktor kyç sonte.

E kontrolluam ndeshjen, duke e ditur se kundërshtari po priste që ne të bënim ndonjë gabim, dhe e menaxhuam shumë mirë. U mbrojtëm solidisht dhe në përgjithësi ishte një fitore e madhe.”

“Struktura jonë ishte shumë e ngurtë”

Amorim pranoi se Milani ka pasur vështirësi në ndeshjet e fundit për shkak të mënyrës së organizimit në fushë.

“Është një epokë e re dhe kemi ende shumë punë për të bërë. Megjithatë, po luajmë më mirë dhe po përmirësohemi. Gjëja më e rëndësishme është se po mësojmë.

Në ndeshjet e fundit kemi pasur disa vështirësi, sepse struktura jonë pozicionale ishte shumë e ngurtë. Sot lojtarët kishin pak më shumë liri dhe, me këtë liri, ata luajtën më mirë.”

Sa larg janë Interi dhe Roma?

Trajneri portugez pranoi se Interi dhe Roma duken më të konsoliduar, por theksoi se Milani nuk ka humbur shumë pikë.

“Interi dhe Roma janë më përpara për sa i përket mënyrës së lojës. Ata kanë pasur më shumë kohë si skuadra dhe mund të shihen mekanizmat e tyre, të cilët janë më të qartë.

Por ne nuk kemi humbur aq shumë pikë. Humbëm dy pikë ndaj Lazios dhe në Torino kundër Juventusit, kështu që nuk është gjithçka për t’u hedhur poshtë.

Sot fituam ndaj një skuadre të mirë që po bën një sezon të mirë. Çdo kundërshtar është ndryshe dhe ndonjëherë do të kemi vështirësi në ndeshje të caktuara. Kjo është pjesë e procesit.

Mendoj se duhet të kishim më shumë pikë. Nëse shohim mënyrën se si shkuan ndeshjet, ndaj Juventusit, edhe pse nuk luajtëm mirë, ishim vetëm 30 sekonda larg marrjes së dy pikëve të tjera. Ndërsa ndaj Lazios, duke parë të dyja pjesët, meritonim diçka më shumë.”

Amorim flet edhe për Modricin

Në lidhje me menaxhimin e minutave të Luka Modric, Amorim tha se mesfushori kroat duhet të ketë sa më shumë kontakt me topin për të dhënë maksimumin.

“Është një lojtar që ka nevojë ta prekë topin shumë për të dhënë më të mirën e tij, por është gati të luajë çdo ndeshje që na nevojitet. Madhësia fizike nuk ka shumë rëndësi.

Në disa ndeshje, si në pjesën e parë ndaj Lazios, nëse e kthejmë lojën në një përballje të vazhdueshme tranzicionesh, nuk është një ambient i mirë për Lukën, ashtu siç nuk është as për Jasharin.

Thjesht duhet ta luajmë ndeshjen në një mënyrë që lejon cilësitë tona të dalin në pah. Kundër skuadrave që mbrohen ulët mund ta përdorim shumë Modricin. Për ndeshjet e tjera do të shohim, por mendoj se ai është gati për çdo lloj ndeshjeje.”

“Vendimi final është gjithmonë i imi”

Sa i përket zgjedhjeve të formacionit, Amorim bëri të qartë se dëgjon lojtarët, por vendimi përfundimtar i takon atij.

“Është çështje e vëzhgimit të ndeshjeve dhe karakteristikave individuale. Sigurisht që i dëgjoj lojtarët, por për një trajner, sidomos në një klub të madh, është e pamundur të marrë vendime vetëm duke i dëgjuar ata.

I sheh, përpiqesh t’i kuptosh, por çdo lojtar tenton ta drejtojë lojën drejt karakteristikave të veta. Në këtë mënyrë bëhet e vështirë të ndërtosh një identitet. Prandaj vendimi final është gjithmonë i imi.

Ajo që kam vënë re në ndeshjet e fundit, dhe diçka që e kam përjetuar edhe te Manchester United, është se ndonjëherë nuk i kemi karakteristikat ideale për të luajtur në një mënyrë të caktuar.

Nëse nuk i kemi këto karakteristika, duhet të përshtatemi pak. Mendoj se sot funksionoi, ndërsa në një ndeshje tjetër mund të rikthehemi te formacioni me tre mbrojtës.

Çelësi është të kemi mënyra të ndryshme për të luajtur, sidomos në Itali, sepse trajnerët këtu janë shumë inteligjentë. Ata markojnë shumë mirë një kundër një dhe, kur humbin pak fokusin ndaj asaj që duam të bëjmë, për ta bëhet më e vështirë.

Në të njëjtën mënyrë, ndonjëherë është e vështirë edhe për mua të kuptoj lëvizshmërinë e skuadrave kundërshtare.” /ORAinfo/

Teilen: