Granit Xhaka nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Murat Yakin për ndeshjet e ardhshme të Zvicrës në Ligën e Kombeve, pas raportimeve për certifikata të falsifikuara të COVID-19.
Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) ka njoftuar se Xhaka nuk do t’i bashkohet grumbullimit të radhës të Kombëtares, pas një diskutimi mes kapitenit dhe drejtuesve të federatës.
“Pas deklaratës së tij personale lidhur me statusin e vaksinimit, Granit Xhaka nuk do të marrë pjesë në grumbullimin e ardhshëm të Kombëtares së meshkujve. Ky vendim u mor bashkërisht gjatë një diskutimi mes Xhakës dhe drejtuesve të SFV-së”, thuhet në njoftim.
Presidenti i SFV-së, Peter Knabel, bëri të ditur se Xhaka i ka informuar drejtuesit për çështjen dhe ka vendosur të flasë publikisht për të.
“Granit Xhaka na informoi mbrëmë për faktet e çështjes dhe në të njëjtën kohë na tregoi se do ta trajtojë publikisht këtë çështje dhe do të marrë përgjegjësinë”, tha ai.
“E mirëpresim faktin që Graniti po ndërmerr këtë hap dhe po e trajton çështjen. Në të njëjtën kohë, kemi arritur së bashku në përfundimin se është në interesin e ekipit që këtë ndeshje ta luajmë pa të. Për ne, prioriteti tani është të rikthejmë qetësinë në këtë situatë dhe të përqendrohemi plotësisht te ekipi dhe ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve të UEFA-s”.
Zyra e prokurorit publik të Lucernës po heton Granit Xhakën dhe një mjek nën dyshimin për posedim të një certifikate të falsifikuar Covid. Disa ditë më vonë, kapiteni i ekipit kombëtar pranoi se kishte marrë një certifikatë të falsifikuar vaksinimi.
“Personalisht isha shumë i shqetësuar në lidhje me vaksinën kundër COVID. Ndjeva mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe u mundova nga frika dhe pasiguria.Në këtë gjendje të ngarkuar emocionalisht, mora një certifikatë vaksinimi në vend që t’i sqaroja pyetjet e mia të hapura përmes kanaleve të duhura.”, tha Xhaka.
Kombëtarja e Zvicrës është grumbulluar në Belek të Turqisë, ku do të përgatitet deri të premten për dy ndeshjet e ardhshme si mysafire ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Skocisë.
Më 3 dhe 6 tetor, Zvicra do të përballet me Slloveninë dhe Maqedoninë e Veriut në Lucernë.
“Pasi të përfundojë kjo periudhë e ndeshjeve ndërkombëtare, do ta rivlerësojmë situatën së bashku me Granitin dhe do të diskutojmë se si të vazhdojmë më tej”.