Granit Xhaka është bërë çështje në Zvicër, pasi ka pranuar se kishte siguruar një çertifikatë vaksinimi false ndaj Covid-19 në vitin 2022. Mesfushori i njohur, aktualisht pjesë e Sunderland, rrezikon një dënim që shkon deri në 5 vite burg për këtë shkelje.
Në krah të Graniti ka dalë vëllai i tij, Taulant Xhaka. Ish-lojtari i Kombëtares shqiptare ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, ku shkruan se të gjithë bëjnë gabime dhe duhet të mësojnë prej tyre, ndërkohë që kërkon që askush të mos e harrojë atë që Graniti ka bërë për Zvicrën.
“Ju lutem, mos harroni kurrë një gjë: atë që Granit Xhaka, vëllai im, ka bërë për Zvicrën gjatë këtyre viteve. Sa zemër, pasion dhe krenari ka treguar për këtë vend dhe këtë fanellë. Të gjithë bëjnë gabime. Askush nuk është perfekt. Thelbësore nuk është të mos bëni kurrë gabime, por t’i pranoni ato dhe të mësoni prej tyre”, – ka shkruar Taulant Xhaka.
Për shkak të situatës që po kalon, Granit Xhaka nuk është bashkuar me Zvicrën për ndeshjet e Nations League. Ai ka kërkuar falje publikisht për shkeljen që ka bërë në kohën e pandemisë.