Tuesday, 22. September 2026
Sport

​Zgjodhi Kosovën para Gjermanisë, “BILD” shkruan për Erblin Osmanin

GS 22/09/2026 2 Min. Lesezeit

Talenti i Bayern Munihut, Erblin Osmani, është një nga emrat më të rinj që i është bashkuar Kombëtares së Kosovës, ndërsa mediat gjermane i kanë kushtuar vëmendje të veçantë vendimit të tij.

Gazeta prestigjioze gjermane “BILD” ka shkruar se 17-vjeçari ka vendosur, të paktën për momentin, kundër Gjermanisë, pasi trajneri i Kosovës, Franco Foda, e ka përfshirë atë në listën e Kombëtares për ndeshjet e ardhshme.

Osmani deri tani kishte qenë pjesë e grupmoshave të Gjermanisë, ndërsa në janar të këtij viti ishte paraqitur në dy ndeshje miqësore me U17-n e Gjermanisë ndaj Portugalisë.

BILD rikujton se Osmani konsiderohet një prej talenteve të Bayern Munihut dhe se në mars të këtij viti bëri debutimin në Bundesligë ndaj Union Berlinit. Ai debutoi në moshën 16 vjeç e 305 ditë, duke u bërë një nga lojtarët më të rinj që ka luajtur për gjigantin bavarez.

Sipas BILD, Osmani ka nënshkruar gjithashtu kontratë afatgjatë me Bayern Munichun dhe aktualisht aktivizohet kryesisht me ekipet e të rinjve të klubit.

Gazeta gjermane thekson se vetëm ftesa nga Kosova nuk e bën ende përfundimisht të pakthyeshëm vendimin e tij në aspektin ndërkombëtar. Megjithatë, përfshirja në listën e Fodës përbën hapin e parë konkret të Osmanit drejt përfaqësimit të Kosovës.

Osmani tashmë ka mbërritur në Prishtinë dhe ka shprehur publikisht krenarinë për vendimin e tij për të luajtur për Kosovën.

Ai pritet të jetë pjesë e skuadrës së Kosovës në ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve.

Teilen: