Meriton Korenica është bashkuar me Kombëtaren e Kosovës pas lëndimit të Donat Rrudhanit dhe pritet të jetë një nga alternativat për ndeshjen e parë të ciklit të ri të Ligës së Kombeve, ndaj Irlandës.
Korenica, i cili këtë sezon është pjesë e FCSB-së rumune, pasi më parë luajti edhe për Clujin, po kalon një formë të mirë.
Mesfushori 29-vjeçar, që ka gjashtë paraqitje me fanellën e Kosovës, thotë se përgatitjet për duelin me Irlandën po zhvillohen në mënyrën më të mirë.
“Po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen e parë. Gjithçka po shkon shumë mirë. Lojtarët janë të motivuar për ndeshjen e parë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”, ka deklaruar Korenica.
Ai synon që Kosova të kërkojë fitore në secilën ndeshje të këtij cikli.
“Kosova ka treguar potencial të madh dhe pres, pse jo, ta fitojmë ndeshjen kundër Irlandës dhe në çdo ndeshje ta japim maksimumin për t’i fituar pikët e plota dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka theksuar Korenica.
Korenica ka bërë thirrje edhe për përkrahje nga tifozët në këtë cikël.
“Pres përkrahje në çdo ndeshje dhe në çdo ndeshje të fitojmë pikët e plota”, ka thënë ai.
Kosova do të përballet me Irlandën të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Austria dhe Izraeli.