Wednesday, 23. September 2026
Futboll

Daku: Objektivi ynë është vendi i parë në grup, synojmë Euro 2028

GS 23/09/2026 3 Min. Lesezeit

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, ka folur sot, të mërkurën, në konferencën zyrtare për media të mbajtur në “Shtëpinë e Futbollit”, ku ka komentuar grumbullimin e kuqezinjve, konkurrencën në repartin ofensiv dhe objektivat e skuadrës.

Daku u shpreh i lumtur që është pjesë e Kombëtares, duke theksuar se është gjithmonë një nder të përfaqësosh Shqipërinë. Sulmuesi kuqezi tha se synon të japë maksimumin nëse i jepet mundësia për të luajtur, ndërsa objektivi kryesor i skuadrës mbetet fitimi i ndeshjeve dhe sigurimi i vendit të parë në grup.

“Si gjithmonë, është nder të jesh pjesë e Kombëtares. Për këto arsye ftohemi edhe ne sulmuesit, për të shënuar gola dhe shpresoj që ta vazhdoj këtë cikël të ri. Të shënojmë gola, por më e rëndësishmja është të fitojmë dhe t’i kalojmë sa më mirë këto katër ndeshje”, u shpreh Daku.

Sa i përket konkurrencës në sulm, 27-vjeçari e konsideron atë pozitive për skuadrën. Ai vlerësoi paraqitjet e lojtarëve të tjerë ofensivë, duke theksuar se një konkurrencë e shëndetshme ndihmon Kombëtaren të ketë në dispozicion futbollistë në formën e tyre më të mirë.

“Është mirë kur ka konkurrencë brenda skuadrës. Edhe çunat që kanë ardhur vijnë pas një fillimi shumë të mirë të sezonit, kanë shënuar gola dhe kjo është gjë e mirë. Na duhet të kemi lojtarë që janë në momentin e tyre. Unë do të pres momentin tim dhe, nëse do të më jepet mundësia, do të jap më të mirën”, deklaroi sulmuesi.

Daku u ndal edhe te objektivat e Kombëtares, duke lidhur synimin për vendin e parë në grup me rrugëtimin drejt Euro 2028. Sipas tij, kuqezinjtë duhet të fokusohen maksimalisht te ndeshjet e ardhshme, të cilat i konsideron tepër të rëndësishme.

“Vetë fakti që ne synojmë vendin e parë flet për Euro 2028. Rruga në Nations League na çon drejt Euro 2028. Për ne objektivi kryesor është të jemi të parët dhe të vazhdojmë ato dy ndeshje që janë si finale”, tha Daku.

Sulmuesi shqiptar gjithashtu bëri të ditur se është në gjendje të mirë fizike dhe 100 për qind i gatshëm për të dhënë kontributin e tij për Kombëtaren. Ai sqaroi se mungesa e aktivizimit me ekipin e ri nuk ka ardhur për shkak të ndonjë dëmtimi, por është vendim i trajnerit.

“Unë jam 100% i gatshëm për Kombëtaren, kam qenë gjithmonë. Me ekipin e ri nuk kam luajtur, por nuk vij pas ndonjë dëmtimi. Është zgjedhja e trajnerit për të vazhduar me lojtarët që ka pasur”, u shpreh ai.

Në fund, Daku foli edhe për përshtypjet e para nga trajneri Maran, duke vlerësuar mënyrën se si po përfshihen të gjithë lojtarët në skuadër. Sipas tij, secili futbollist po e ndjen rëndësinë që ka brenda grupit.

“Tani po ndjejmë se secili lojtar ka rëndësinë e vet në skuadër dhe kjo më ka bërë të ndihem mirë. Për të tjerat, presim ndeshjet”, përfundoi Mirlind Daku.

Kombëtarja shqiptare synon të shfrytëzojë ndeshjet e radhës për të avancuar drejt objektivave të saj, me vendin e parë në grup si një prej synimeve kryesore.

Teilen: