Wednesday, 23. September 2026
Sport

​Irlandezët të mahnitur nga mikpritja në Prishtinë, por nuk i njohin lojtarët e Kosovës

GS 23/09/2026 3 Min. Lesezeit

Tifozët irlandez tashmë kanë arritur në Prishtinë, për të ndjekur ndeshjen e parë të Grupit B3 të Ligës së Kombeve, mes Kosovës dhe Irlandës, e cila zhvillohet nesër mbrëma.

Për ekipin e KosovaPress kanë folur disa tifozë në lidhje me pritshmëritë e tyre për këtë përballje.

Tifozi Padraig Gallagher tha se ndeshja nuk do të jetë e lehtë për Irlandën, pasi që ka kaluar kohë nga ndeshja e tyre e fundit kundër Republikës Çeke.

Oh, do të jetë shumë e vështirë sepse ka kaluar shumë kohë që kur Irlanda ka luajtur një ndeshje zyrtare. Ndeshja e fundit që luajtëm ishte në Pragë në “play-off” kundër Republikës Çeke. Ngjashëm me Kosovën, humbëm në “play-off” për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror”, tha Gallagher.

Më tej ai tha se pret një barazim nga ky ballafaqim nesër në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Kështu që, me sa duket, a do të ishte një barazim rezultat i mirë për të dyja skuadrat për ta nisur fushatën? Ndoshta…Ah, mendoj diçka si 1 me 1”, përfundoi ai.

Mendim tjetër pati tifozi Tony Frankton. Ai beson se kjo përballje do të sjell trepikëshin e parë për Irlandën, me një rezultat 1:2. Kur u pyet se kush do t’i shënoi golat ai u shpreh se ekipi ka shumë besim në Tony Parrott.

“Varet shumë nga një djalë i quajtur Troy Parrott që të realizojë për ne. Shpresoj të bëjë punën”, tha ai.

Në lidhje me mungesat tek formacioni i Irlandës, Frankton tha se Seamus Coleman është ende një lider i jashtëzakonshëm për ekipin edhe jashtë fushës.

“Po, kemi Seamus Coleman dhe kemi Evan Ferguson. Ferguson është i dëmtuar, kurse Coleman nuk ka klub futbolli dhe si rrjedhojë nuk ka luajtur futboll rregullisht. Kjo po, por ai është lider, është një lider i jashtëzakonshëm në fushë, si dhe brenda grupit, e dini”, vazhdoi ai.

Ndërsa për tifozin Lee Harris, Irlanda do ta mbyllë ndeshjen me rezultat 1:3.

“Mendoj se me gjasë do të fitojmë. Mendoj plotësisht 3 me 1. Po, mbështetemi shumë te Troy Parrott sepse kemi opsione shumë të limituara në sulm për momentin, kështu që po mendoj se ndoshta ai i shënon dy dhe pastaj një gol me kokë nga ndonjë mbrojtës apo diçka e tillë, po”, tha ai.

Kur u pyet se a paraqet problem mungesat në formacion, ai ishte mjaft optimist se kombëtarja irlandeze është mjaftë e fortë. Ndërkohë, ai pati komente mjaft të mira për mikpritjen që iu është bërë në Prishtinë.

“Është e mrekullueshme. Njerëzit janë të mahnitshëm. Sapo erdhëm nga një lokal këtu poshtë dhe çdo person ka qenë shumë miqësor. Vetëm “përshëndetje” dhe “mirë se vini”, të gjithë po thonë “mirë se vini në Prishtinë”, që është shumë, shumë ndryshe nga ajo që jemi mësuar, është diçka shumë e mirë”, tha Harris.

Edhe pse tifozët ishin mjaftë entuziastë dhe të kënaqur me mirëpritjen në Kosovë, ajo që bëri përshtypje ishte se tifozët e intervistuar nga KosovaPress nuk e njihnin as edhe një lojtarë të Kombëtares së Kosovës.

Ndeshja Kosovë – Irlandë zhvillohet të enjten, nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Teilen: