Thursday, 24. September 2026
Sport

Calafiori anësor, Romano në regji dhe rebusi i sulmuesit! Merr formë Italia e re e Mancini-t

GS 24/09/2026 2 Min. Lesezeit

Për trajnerin e “axurrëve”, lojtarët që duhet të udhëheqin skuadrën janë portieri Donnarumma dhe mesfushorët Tonali e Barella.

Do të nisë në “Olimpico” të Romës aventura e dytë e Roberto Mancini-t në stolin e Italisë. Ai ka shumë punë për të bërë, ndërkohë që duhet të përballojë menjëherë një ndeshje impenjative, siç është ajo ndaj Belgjikës së Mark Van Bommel. Një sfidë delikate, që luhet të premten, në orën 20:45. Italia ka në grup në Nations League edhe skuadra të tjera të forta, siç janë Turqia dhe Franca. Objektivi i parë është të shmanget vendi i fundit dhe rrjedhimisht rënia në Ligën B.

Mancini, i cili synon të hapë një cikël të ri, do t’ia besojë menjëherë regjinë Alessandro Romano-s, i cili do të debutojë me fanellën “axurre”. Në krah të tij, në 4-3-3-shin bazë, do të jenë Barella dhe Tonali. Këta dy të fundit konsiderohen liderët e Italisë, bashkë me kapitenin Donnarumma.

Për mbrojtjen është i sigurt Gianluca Mancini në qendër, ku për vendin tjetër diskutojnë një fanellë titullari Scalvini dhe Coppola, me të parin favorit. Në krahun e majtë pritet të aktivizohet Calafiori, kurse në të djathtë ka një balotazh Kayode-Di Lorenzo.

Në sulm Pio Esposito garon me Kean për vendin e titullarit, kurse Scamacca e nis nga stoli. Tredhëmbëshi mendohet të kompletohet me Raspadori-n dhe Zaniolo-n, në avantazh respektivisht ndaj Maldini-t dhe Vergara-s.

Teilen: