Thursday, 24. September 2026
Sport

De Laurentiis humb kontrollin ndaj pronarit të Milanit, Cardinale: Do ta nxirrja nga restoranti

GS 24/09/2026 2 Min. Lesezeit

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka bërë deklarata të forta në lidhje me Gerry Cardinale, pronarin e Milanit, duke rrëfyer edhe detaje nga një darkë që të dy kanë zhvilluar disa vite më parë.

De Laurentiis dhe Cardinale përfaqësojnë dy qasje të ndryshme në futbollin italian. Presidenti i Napolit është në krye të klubit që prej vitit 2004 dhe ka pasur një rol shumë të drejtpërdrejtë në menaxhimin e klubit, ndërsa Cardinale është pjesë e valës së investitorëve të huaj, veçanërisht amerikanë, që kanë hyrë në Serie A vitet e fundit, përcjell ORAinfo.

Duke folur në një event të mërkurën në mbrëmje, De Laurentiis foli edhe për projektin e stadiumit të ri të Napolit, por nuk kurseu kritikat ndaj Cardinale.

“E ftova Cardinalen për darkë tre vite më parë. Ai filloi të thoshte gjëra që, sipas meje, ishin krejtësisht jashtë realitetit. Nuk kundërshtova, sepse përndryshe do të më duhej ta nxirrja jashtë”, deklaroi De Laurentiis.

Më pas, presidenti i Napolit e krahasoi mënyrën e tij të menaxhimit me atë të pronarit të Milanit.

“Ky ishte një pronar që kishte kërkesat e një financieri dhe jo të një sipërmarrësi të vërtetë. Mund të thoni çfarë të doni për kinemanë time, por ne i bëjmë të gjitha gjërat brenda kompanisë, nga idetë te marketingu dhe shpërndarja”, u shpreh ai.

De Laurentiis vijoi duke kritikuar modelin e investimeve të fondeve në futboll.

“Kjo është diçka që Cardinale nuk e kupton, sepse ai dhe fondet e tjera investojnë para për të sjellë më pas fitime për investitorët e tyre. Nëse pas një periudhe kohe nuk kanë fituar para, atëherë çfarë përfitimi është sjellë? Asnjë”, përfundoi presidenti i Napolit. /ORAinfo/

Teilen: