Tuesday, 29. September 2026
Futboll

Barcelona nuk tërhiqet për Lautaro, e konfirmon Deco: E kemi ndjekur dhe na pëlqen shumë si lojtar

GS 25/09/2026 2 Min. Lesezeit

Interesi i Barcelona për Lautaro Martínez gjallëroi ditët e fundit të merkatos së verës për Inter. Pas një refuzimi të prerë nga Atlético lidhur me Julián Álvarez, katalanasit e kishin përqendruar vëmendjen te ‘El Toro’.

Argjentinasi shihej si pasuesi ideal i Robert Lewandowski, por zikaltërit nuk e morën kurrë seriozisht idenë e largimit të kapitenit të tyre. Por, siç u zbulua fillimisht nga vetë lojtari dhe tani nga Deco, negociatat ishin shumë reale.

“Lautaro është një lojtar spektakolar, një idhull i Inter, kapiteni i klubit dhe një legjendë,” shpjegoi drejtori sportiv i  klubit “blaugrana”. Ish-mesfushori portugez më pas dha detaje rreth marrëveshjes, e cila nuk arriti kurrë në një fazë të avancuar.

“Në shenjë respekti për të dhe për klubin, sapo u informuam se ata nuk dëshironin të hapnin negociatat, ne u tërhoqëm dhe nuk e çuam më tej çështjen. Ne gjithmonë përpiqemi t’i bëjmë gjërat në mënyrën sa më korrekte dhe transparente të mundshme”, tha Deco.

Megjithatë, Deco e bëri të qartë se ‘El Toro’ vlerësohet shumë në Barcelonë: “Kur kërkonim një sulmues me karakteristikat e duhura për ne, Lautaro ishte padyshim në atë listë. Në momentin që presidentët e klubeve folën dhe Inter nuk tregoi gatishmëri për të lejuar transferimin, ne ndaluam së ndjekuri pistën në shenjë respekti për të gjithë të përfshirët”.

“Nuk folëm as me lojtarin, as me agjentin e tij. Por e përsëris: ne e kemi ndjekur atë dhe na pëlqen shumë si lojtar”, tha Deco. Ky qëndrim i përsëritur lë derën hapur për interpretime: a mund të bëjë Barça një lëvizje tjetër për Lautaron? Përgjigjja do të vijë në merkaton e radhës.

Teilen: