Ernest Muçi e nisi në mënyrën më të mirë epokën e Rolando Maran-it te Kombëtarja shqiptare. Sulmuesi i dha një kontribut të rëndësishëm fitores 2-0 ndaj Bjellorusisë, duke gjetur rrugën e rrjetës në një mbrëmje ku Shqipëria mori tri pikët e para në Nations League.
Pas ndeshjes, Muçi foli për paraqitjen e tij, por edhe për eksperiencën e kufizuar që ka me fanellën kuqezi. Sulmuesi theksoi se kjo ishte vetëm ndeshja e tij e katërt me Kombëtaren, duke bërë një krahasim me bashkëmoshatarët e tij.
“Ndeshja ime e katërt. S’kam eksperiencë me Kombëtaren. Bashkëmoshatarët e mi kanë luajtur 40-50 sfida”, theksoi ai.
“Jam shumë i lumtur që u riktheva. Ishte shumë e rëndësishme ta fitonim këtë ndeshje. Falënderoj trajnerin për besimin. Kemi tre ndeshje të tjera, për të dalë të parët në grup. Golin ia dedikoj familjes time, të dashurës dhe gocës time”.
“Luajtëm me skemën 4-4-2, atje ndihem më mirë, mund të tregoj aftësitë e mia. Është skemë e mirë për të gjithë. Sot treguam që fituam me këtë skemë dhe duhet të vazhdojmë. Për cilësi e kam treguar në klub, do e tregoj dhe në Kombëtare. Jam i gatshëm ta bëj. Ishte ndeshja ime e katërt në 5 vjet si titullar me Kombëtaren dhe goli i katërt, shpresoj të vazhdoj të jap kontributin tim”.
“Nuk kam edhe aq eksperiencë në Kombëtare, është ndeshja e katërt me formacionin, bashkëmoshatarët e mi kanë luajtur 40-50 ndeshje. Më mirë avash dhe të jem atje gjithmonë se 2-3 ndeshje dhe mos dukem. Maran është pozitiv me gjithë ekipin. Maran më ka thënë që të ndihem si te klubi im”.
“Të gjithë duam të bëjmë gol, rëndësi ka që fituam. Nuk është problem kush i bën golat”, përfundoi ish-lojtari i Tiranës.
Deklarata e Muçit vjen në një moment të rëndësishëm për të, pasi me ardhjen e Maran-it ai duket se po merr një rol më të madh në skuadër. Goli ndaj Bjellorusisë ishte një mënyrë ideale për të shfrytëzuar mundësinë e marrë dhe për të treguar cilësitë e tij në repartin ofensiv.
Muçi ishte protagonist në një Shqipëri që e kontrolloi pjesën më të madhe të takimit dhe krijoi disa mundësi për të shënuar.
Trajneri italian e veçoi edhe pas ndeshjes paraqitjen e Muçit, duke e cilësuar si një lojtar me cilësi të mëdha. Maran theksoi se goli ishte shumë i rëndësishëm për sulmuesin në ndeshjen e parë të tij me Kombëtaren nën drejtimin e trajnerit italian.
Megjithatë, Maran nënvizoi se Shqipëria nuk duhet të mbështetet vetëm te një futbollist. Sipas tij, skuadra duhet të funksionojë si një e tërë dhe të ketë disa pika referimi në fazën sulmuese.
Shqipëria e mbylli sfidën me fitoren 2-0.