Kosova është mundur 3-1 nga Austria në ndeshjen e dytë në grup në Ligën B, në Ligën e Kombeve. Kosova e nisi shumë mirë ndeshjen, duke rrezikuar që në minutën e gjashtë, por në mënyrë të habitshme, Vedat Muriqi, bën më të vështirën e mundshme, pak metra para portës.
Sfida u zhbllokua në minutën e 23-të, ku David Affengruber shënoi me kokë pas krosimit të Romano Schmid nga goditja e dënimit. Edhe pse kishte dyshime për pozicion jashtë loje, sipas VAR-it goli ishte i rregullt.
Në minutën e fundit shtesë të pjesës së parë, kundërsulm i shpejtë i austriakëve. Dalje e shpejtë e Xaver Schlager, i cili pason për Patrick Wimmer, ky i fundit asiston për Junior Adamu, që dërgon topin në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet 2-0 për Austrinë.
Franco Foda e nis pjesën e dytë me tre zëvendësime direkt. Dalin Krasniqi, Zabërgja dhe Veldin Hoxha. Futen Zhegrova, Avdyli dhe Matoshi.
Në minutën e 51-të, një super krosim i Zhegrovës në zonë, Muriqi godet me kokë, por portieri austriak Christian Zaëieschitzky, bën një super pritje.
Në minutën e 61-të, Austria gjen golin e tretë më të sapo futurin në fushë, Carney Chukëuemeka, i cili përfitoi dhe nga një dalje e pasigurt e Aro Muric. Në minutën e 65-të, dëmtohet Aro Muric, futet në lojë Amir Saipi.
Në minutën e 83-të, Kosova gjen golin me Edon Zhegrovën, i cili tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, pas prekjes së topit me dorë brenda zonës, nga njëri prej lojtarëve austriakë. Ndeshja mbyllet 3-1 për Austrinë. Ndeshja tjetër e këtij grupi do të luhet në mbrëmje mes Izraelit dhe Irlandës. Pas tre ditësh, Kosova do të udhëtojë në Izrael. Austria po ashtu do të luajë në transfertë ndaj Irlandës.