Austria e ka mposhtur Kosovën 3-1 në Vjenë, në ndeshjen e xhiros së dytë të Ligës së Kombeve.
Vendasit e nisën më mirë ndeshjen dhe kaluan në epërsi në minutën e 23-të me David Affengruber, i cili shënoi me kokë pas një goditjeje të lirë. Goli fillimisht u rishikua nga VAR-i, por më pas u konfirmua.
Në fund të pjesës së parë, Junior Adamu shënoi për 2-0 në minutën e 45+2-të, pas një aksioni të bukur të Austrisë.
Kosova pati disa mundësi të mira në fillim të pjesës së dytë, veçanërisht përmes Vedat Muriqit, i cili në minutën e 51-të goditi brenda zonës, por mbrojtja austriake e largoi topin nga vija e portës.
Austria e shënoi edhe golin e tretë në minutën e 61-të përmes Carney Chukwuemekës.
“Dardanët” arritën të ngushtonin rezultatin në minutën e 83-të, kur Edon Zhegrova shënoi nga penalltia, pas një ndërhyrjeje të Affengruberit në zonë.
Kosova provoi deri në fund, por nuk arriti të shënonte sërish dhe ndeshja përfundoi me fitoren 3-1 të Austrisë.
Austria tashmë është e vetme në krye me gjashtë pikë, ndërsa Kosova mbetet e dyta me tri pikë. Irlanda dhe Izraeli kanë nga një ndeshje më pak, pasi përballja mes tyre luhet sonte.
Kosova ndeshjen e radhës e luan më 1 tetor ndaj Izraelit, ndërsa më 4 tetor pret Austrinë në Prishtinë.