Pamje të publikuara nga stadiumi “Rajko Mitić” në Beograd kanë shkaktuar reagime, pasi gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve ndërmjet Serbisë dhe Holandës, nga tribunat janë dëgjuar brohoritje në mbështetje të ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mladiq.
Lajmi është raportuar nga mediumi boshnjak “Oslobođenje”, i cili shkruan se një grup tifozësh në tribunën veriore të stadiumit shpalosi një banderolë kushtuar Mladiqit, i dënuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për krime lufte dhe gjenocid.
Sipas “Oslobođenjes”, nga e njëjta pjesë e tribunës janë dëgjuar edhe brohoritje në emër të Mladiqit.
Mediumi boshnjak, duke iu referuar pamjeve të publikuara nga portali serb “Telegraf”, thekson se emri i Mladiqit është brohoritur edhe nga pjesë të tjera të stadiumit gjatë ndeshjes.
“Fëmijët lavdëruan kriminelin”, është titulli i raportimit të “Oslobođenjes”, ndërsa mediumi kërkon reagim nga UEFA për këto pamje dhe brohoritje.
Ndeshja e zhvilluar në Beograd përfundoi me fitoren e Holandës 2:1 ndaj Serbisë, por vëmendje të veçantë morën edhe ngjarjet në tribuna.
Ratko Mladiq u dënua me burgim të përjetshëm nga mekanizmi ndërkombëtar që trajtoi çështjet e mbetura të Tribunalit të Hagës, përfshirë përgjegjësinë për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.