Napoli ka arritur marrëveshje me Amir Rrahmanin për kontratën e re, ku ka mbetur vetëm konfirmimi zyrtar i vazhdimit të bashkëpunimit mes palëve.
Bëhet e ditur se mbrojtësi kosovar është pajtuar me kushtet e ofruara nga presidenti I Napolit, Aurelio De Laurentiis, duke pranuar ta vazhdojë kontratën aktuale që i skadon vitin e ardhshëm edhe për dy vjet të tjera.
Me rinovimin e kontratës, Rrahmani do të jetë pjesë e skuadrës së Napolit deri në verën e vitit 2029, ndërsa do të ketë një pagë vjetore prej 3.8 milionë eurosh në sezon.
Ky veprim është një komunikatë më se e qartë që Rrahmani bën pjesë në planet e ekipit nga Serie A, me të cilin ka fituar dy tituj kampioni të Italisë.
Rrahmani iu bashkua Napolit në vitin 2020 kurse edhe këtë sezon vazhdon të jetë njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit, duke regjistruar 540 minuta lojë në të gjitha garat.
Po ashtu, kjo marrëveshje është përgjigje rreth spekulimeve të fundit, se Rrahmani mund të transferohej në Angli, Turqi apo Arabinë Saudite pasi kishte interesim për shërbimet e tij.