Trepça dhe Bashkimi do të përballen të martën mbrëma në finalen e Superkupës së Kosovës, në një duel që pritet të sjellë rivalitet të madh dhe emocione në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
“Xehetarët” hyjnë në këtë përballje si kampionë të padiskutueshëm të viteve të fundit në basketbollin kosovar. Trepça ka fituar pesë Kupa të Kosovës radhazi, tre tituj kampioni radhazi, si dhe dy Superkupat e fundit. Megjithatë, fillimi i këtij sezoni nuk ka shkuar sipas pritshmërive për skuadrën mitrovicase.
Trepça e nisi kampionatin me një fitore të vështirë 106:101 në udhëtim ndaj Rahovecit 029, ndërsa në xhiron e dytë u mposht 87:81 nga Peja në “Minatori”. Në këtë takim munguan Mikaile Tmusic dhe Kevin Bracy-Davis, ndërsa trajneri Adis Beqiragic ka bërë të ditur se skuadra ka nevojë për përforcim në pozitën numër katër.
Në krahun tjetër, Bashkimi ka regjistruar një start shumë më pozitiv të sezonit. Prizrenasit triumfuan bindshëm ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 96:60, ndërsa më pas mposhtën Rahovecin 029, 100:84, pikërisht në palestrën “Mizahir Isma”, ku do të zhvillohet edhe finalja e Superkupës.
Bashkimi ka pasur disa përballje të vështira me Trepçën në finalet e viteve të fundit dhe këtë herë synon ta shfrytëzojë momentin pozitiv për të kërkuar trofeun.
Në anën tjetër, Trepça do të kërkojë reagimin pas humbjes në kampionat dhe njëkohësisht trofeun e parë të sezonit.
Finalja e Superkupës së Kosovës zhvillohet të martën nga ora 19:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Ndeshja fillimisht ishte paraparë të zhvillohej më 15 shtator, por Federata e Basketbollit e Kosovës e kishte shtyrë atë për një datë tjetër.
Të dyja skuadrat tashmë janë gati për një tjetër përballje mes tyre, me Superkupën si trofeun e parë të sezonit në horizont.