Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, kërkoi ndëshkime të ashpra për Manchester City pas gjetjeve të komisionit të pavarur për shkeljet financiare. Sipas “Reuters”, City është shpallur fajtor për 114 nga 115 shkeljet e pretenduara të rregullave financiare të Premier League, ndërsa klubi i ka mohuar gjithmonë akuzat dhe pritet të apelojë.
“Kam ngritur shqetësime për Manchester City prej shumë vitesh. E bëra edhe në vitin 2017, në ‘Soccerex’. Në atë kohë nuk i pëlqeu as City, as Premier League”, – tha Tebas.
Ai theksoi se shkeljet datojnë që nga viti 2009: “Të shkelësh rregullat për më shumë se 10 vite është jashtëzakonisht serioze. Ndëshkimi duhet të jetë i ashpër, jo vetëm për të dhënë një shembull, por sepse rregullat janë shkelur.
Rasti i Manchester City ka pasoja në të gjithë Europën, veçanërisht për manipulimin financiar. Duhet ndëshkim shembullor që të shërbejë si parandalim”.
Tebas kritikoi edhe Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), e cila në vitin 2020 anuloi pezullimin 2-vjeçar të City nga Champions League: “Sipas mendimit tim, vendimet e CAS duhet të rishikohen. Ajo anuloi sanksionin e UEFA-s dhe ky vendim ishte shumë i diskutueshëm. Tani është provuar se UEFA kishte të drejtë”.
Ndërkohë, Maheta Molango i sindikatës së futbollistëve anglezë tha se zvarritja e çështjes dëmton besimin te rregullat dhe institucionet: “Duhet të ketë rregulla, ato duhet të respektohen dhe të ketë pasoja të menjëhershme”.